Përse Barça nuk dëshiron të bjerë në “grackë” për Nejmarin?!

Në “Kamp Nou” është e ndaluar të flitet publikisht për Nejmarin, nuk dihet nëse dhe sesa flitet në konfidencë. Zëdhënësi i klubit, Zhozep Vives, deklaroi përpara gazetarëve se “kjo është diçka ku nuk kemi ndërmend të hyjmë … sepse do të ishte një rënie në grackë”. Mediat europiane u “çanë” duke shkruar e komentuar dashurinë e rilindur të Nejmarit për Barçën, dhe duelin (ndoshta të vërtetë, ndoshta hipotetik) mes katalanasve dhe Realit për ta marrë, por ish-klubi nuk komenton.

“Do të ishte mungesë respekti”, – theksoi Vives, duke nënkuptuar Paris SG, por besohet se do të ishte më shumë një hapje ankandi, që do ta rriste edhe më shumë vlerën e kartonit të brazilianit. Jo më kot, presidenti i PSG-së, Al Helaifi, theksoi se “dyert janë të hapura për këdo që dëshiron të largohet, Nejmarin nuk e detyroi njeri të vinte këtu”.

Përpara se të mendojë për Nejmarin, Barça do të duhet të bëjë të anasjelltën e operacionit të vitit 2017, pra transferimin me dalje të Kutinjos dhe Dembelesë. Atëherë fitoi 222 milionë euro për brazilianin, dhe shpenzoi ndoshta 270 për dy lojtarët. Tani, dëshiron të jetë sërish në një raport të tillë, pra të dalë me fitim, jo me humbje.

Sfidanti.al