Nuk është më sekret se te Reali i Madridit nuk janë shumë të kënaqur me lojën e Karim Benzemas dhe, gjithnjë e më shumë, po flitet se ky futbollist francez do të largohet nga klubi “mbretëror”. Benzema ka, në fakt, 10 vite që luan me Realin, por ka pasur shumë ndeshje, në të cilat ai i ka zhgënjyer tifozët, pikërisht atëherë, kur prej tij pritej më shumë. Sidoqoftë, te Reali gjatë të gjithë kohës janë treguar të duruar, kur është fjala për Benzeman, por tani, sikurse duket, këtij durimi i ka ardhur fundi.
Thuhet se presidenti i Realit, Florentino Perez, po e shqyrton seriozisht mundësinë që në vend të Benzemas të sjellë në ekip sulmuesin Hari Kein të Totenhemit. Ndërkohë, ka lajme që thonë se Benzema ka marrë oferts të majme nga Kina.
Gazeta spanjolle “Don Balon” shkruan se dy klube kinezë kanë treguar një interesim të madh për futbollistin francez dhe se duan që ta marrin atë që janarin e ardhshëm. Thuhet se bëhet fjalë për 50 milionë euro, një shumë, të cilën vështirë se ka ndonjë klub evropian që do të ofronte për Benzeman.
Sfidanti.al