Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, dhe ekipi i tij ndodhen përballë një orteku kritikash mbas humbjes turpëruese së thellë 3-0 nga ana e Holandës, për më tepër që kjo ishte hera e parë në histori që “pancerat” pësojnë tre gola nga “tulipanët”, dhe situatën e rëndon më keq edhe fakti se manshafti gjerman ka tre ndeshje zyrtare që nuk po shënon dot! Duket qartë se ekipi gjerman është përfshirë nga një krizë që nuk mbahet mend.
Lëvi thotë se ai shumë i zhgënjyer nga ekipi i tij, ndërkohë që media gjermane bën pyetjen se a do të jetë në gjendje ky trajner ta kapërcejë këtë krizë. “Kjo ishte një humbje brutale dhe, në të njëjtën kohë, shumë zhgënjyese. Ne luajtëm mirë vetëm gjatë 30 minutave të para, kurse më pas ekipi ynë nuk u pa më në fushë. Tani është momenti që ne të nxjerrim konkluzionet tona, sepse nuk mund të vazhdojmë me këtë ritëm”, vuri në dukje Lëvi, duke i drejtuar edhe një kërkesë opinionit publik lidhur me futbollistët e rinj që po përpiqen të integrohen në ekip:
“Futbollistëve tanë të rinj u duhet njëfarë kohe që të adaptohen, nuk mund të pritet që ata të bëjnë çudira që në fillim. Është pozitiv fakti se futbollistët e rinj që u futën në lojë nga stoli, e gjallëruan dhe e freskuan lohën, por, sidoqoftë, duhet të tregohet durim me ta. Nuk duhet të lejohet që ne të krijojmë panik rreth tyre”.
Sfidanti.al