Në fakt, te një mendim i tillë na çojnë statistikat dhe shifrat. Nuk ka kaluar as gjysma e sezonit të Primerës, por Reali i Madridit, tanimë, mund të thuhet se ka dalë jashtë garës për titull. Barcelona është 16 pikë përpara, megjithëse Reali ka një ndeshje më pak, por edhe sikur t’ia japim tri pikët klubit “mbretëror”, shifra 13, gjithashtu, është e vështirë që të arrihet. Fillimi i sezonit nuk paralajmëronte një situatë të tillë, duke pasur parasysh se Reali i Madridit mundi në Shkup, 2-1, Mançester Junajtidin në Superkupën evropiane dhe i “tregoi muskujt” Barcelonës në Superkupën e Spanjës, por, më pas, nisi pikiata.
Tifozët e pakënaqur e drejtojnë më shumë gishtin te Karim Benzema, ndërsa, tani, edhe te Marselo, pasi që të dy, kohët e fundit, ndodhen në një formë të keqe, por, sifoqoftë, çfarë mund të themi ne për yllin kryesor të ekipit madridas?
Megjithëse Ronaldo fitoi, edhe një herë tjetër, “Topin e artë”, ai, këtë sezon, po luan nën pritshmëritë, sidomos, në Primera.
“Instituti” sportiv i statistikave sjell një të dhënë interesante që tregon sesa i përket shënimit të golave, Ronaldo, kurrë më parë, nuk ka qenë në një situatë të tillë, qëkur ka ardhur në “Santiago Bernabe”. Shifrat e grafikut tregojnë se, këtë sezon, ai ka shënuar një gol në 289 minutat e kaluara në fushë që është shumë dobët në krahasim me sezonet e kaluar.
Sfidanti.al