Një sigurim i paparë: 3200 policë për finalen e Kupës së Spanjës!

Këtë të shtunë, në stadiumin “Vanda Metropolitano” të Madridit do të luhet finalja e madhe e Kukës së Spanjës mes Seviljes dhe Barcelonës. Ky duel është shpallur si një ndeshje me koeficient të lartë rreziku, ndërkohë që në tribunën qëndrore do të jetë edhe mbreti i Spanjës, Felipe i 6-të. Kjo, midis të tjerave, është edhe arsyeja kryesore e pranisë së një numri kaq të madh policësh me rastin e kësaj finaleje.

Gjatë kohës së ndeshjes, rreth stadiumit do të ndalohen që të lëvizin kamionë më të rëndë se 3,5 tonë. Masa të tilla nuk janë marrë më parë me rastin e një ndeshjeje futbolli në Spanjë.

Biletat për këtë ndeshje, tanimë, janë shitur që të gjitha që do të thotë se në stadium do të jenë të pranishëm 65 000 shikues. Të dy klubeve u janë dhënë nga 25 000 bileta, kurse të tjerat u nxorën në shitje të lirë.

Sfidanti.al