Mund të jetë rastësi, por Mesi e Bartomeu nuk flasin që nga maji!

Nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, por gjithsesi bën përshtypje, që lojtari më i mirë i ekipit dhe i botës të ketë muaj të tërë pa folur me presidentin e klubit ku militon. Kjo ka ndodhur me Lionel Mesin dhe Zhozep Bartomeun, dhe është vetë futbollisti argjentinas që e thotë në një intervistë të gjatë për mediat. “Me presidentin nuk flasim që nga eleminimi në Liverpul, – tha ai “shqeto”, – nuk kam asnjë problem me të, kur të ketë gjëra për të folur, do të flasim”. Kaq!

Çfarë kalon në mendjen e Mesit për rinovimin, pra një shkak për të cilin duhet të flasë me Bartomeun? “Unë dua ta mbyll karrierën tek Barcelona, dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë dua kështu, – u shpreh kapiteni, – gjithsesi, nuk jam unë që merrem me rinovimin, por është babai im. Natyrisht, ai komunikon me mua, por për momentin nuk ka asgjë. E thashë se dua ta përfundoj karrierën këtu”. Në intervistë, Leo hodhi poshtë faktin se nuk e kishte dashur Grizmanin, por pohoi se kishte dashur Nejmarin, ndërsa theksoi se është i bindur se Grizman do të japë më të mirën, sapo të përshtatet në “Kamp Nou”.

Sfidanti.al