Lopetegi shkurton “listën e dëshirave”, nga Ronaldo steka ulet te Vërner

Mbas largimit të Kristiano Ronaldos për te Juventusi, pavarësisht nga përpjekjet e shumta, Reali i Madridit nuk po arrin që të gjejë një pasardhës pak a shumë të denjë të asit portugez. Deri tani, me klubin “mbretëror” janë lidhur emrat e Robert Levandovskit, Nejmarit, Kilian Mbapes, Mohamed Salahut, Hari Kejnit, Mauro Ikradit, Timo Vernerit dhe Rodrigos, por… “asgjë në trastë”. Reali ka angazhuar deri tani vetëm portierin belg, Tiboa Kurtoa, që është një nga portierët më të mirë në botë, por, sidoqoftë, ai akoma nuk ka debutuar. Tifozët e Realit, në fakt, duan më shumë ndonjë sulmues klasi.
Media spanjolle shkruan se trajneri i Realit, Hulen Lopetegi, e ka shkurtuar “listën e dëshirave” të tij, duke i paraqitur tani presidentit Florentio Perez vetëm pesë emra sulmuesish: Levandovski, Verner, Ikardi, Rodrigo dhe Mariano Diaz. Këto kohët e fundit, më shumë me Realin është lidhur emri i sulmuesit të ri 22-vjeçar gjerman, Timo Verner, vlera e të cilit qëndron më shumë te rinia e tij.
Sfidanti.al