Portieri i ri i Mançester Sitit befason: Do të luaj me Kosovën!

Para disa ditësh, atij iu dha shansi që të bëhet portieri i dytë i Mançester Sitit, kurse dje ai u vendos përsëri në qendër të vëmendjes së medias, më saktë, të asaj ballkanike.
Arijanet Muriq, mbas dëmtimit të Klaudio Bravos, u kthye në “Etihad” dhe do të jetë opsioni nr.2 i Pep Guardiolës që e ka më sy të mirë portierin e ri dhe të talentuar. Por, Arijaneti i mërziti shumë tifozët malazezë, sepse ai nuk zgjodhi që të luajë me përfaqësuesen e Malit të Zi, nga janë me origjinë prindërit e tij, por përfaqësuesen e Kosovës. “Unë jam shumë i kënaqur që mbas bisedimeve disamujore, biri im, Arijaneti, vendosi që të luajë me Kosovën”, deklaroi i ati i portierit të ri, Saimiri. Në fakt, Arijanet Muriq ka qenë pjesëtar i ekipit të të rinjve të Malit të Zi dhe ka luajtur tre ndeshje me të.
“Ne nuk e tradhëtuam Malin e Zi, por ata që drejtojnë futbollin në këtë vend, nuk treguan ndonjë dëshirë që t’i gjenin Arijanetit vend përfaqësuesen e të rriturve, kështu që ne bëmë zgjedhjen tonë të drejtë. Mendoj se Kosova ka një të ardhme të mirë dhe Arijaneti do të jetë pjesë e sukseseve të saj”, deklaroi Saimiri. Portieri i ri dhe i sigurt, Muriq, ka lindur në Zvicër, por prindërit e tij janë nga Mali i Zi.
Sfidanti.al