Ndaj Seviljes “bomba bërthamore” edhe mund të mos mjaftojë, sepse flitet për një rival shumë të fortë, siç e provuan Mançester Junajtidi apo Interi, pse jo edhe Bajerni, por sërish Ronald Kuman ka besim. Barcelona pret ekipin e trajnerit Lopetegi në “Kamp Nou” sonte në orën 21:00 dhe besimi është i madh. “Jemi në fushën tonë, nëse do të japim maksimumin besoj se do t’ia dalim, – thotë trajneri holandez, – edhe pse Sevilja është e fortë”. Kumani vlerëson shumë sulmin, që e quan me shumë cilësi dhe alternativa. “Mesi është shumë mirë, Kutinjo është një lojtar i veçantë dhe më takon mua ta përshtas me ekipin, Ansu Fati është përpara Dembelesë, por kemi edhe të tjerët, kemi Grizmanin dhe lojtarë ofensivë si Trinkao Pedri”. Ai kërkon që Dembele të jetë i kënaqur dhe i sinqertë, pra nëse nuk dëshiron të rrijë, le të largohet. Kjo mund t’i hapte rrugën lojtarëve të tjerë.
Sfidanti.al