Evertoni i Ançelotit po nxjerr mallin e Evertonit të madh të Kendëllit!

Pikfordi vështirë se mund të krahasohet me portierin legjendar Nevil Sauthëll, por ndoshta Hames Rodrigesi mund të jetë më i mirë sesa Piter Reidi dhe Kalvert-Ljuin mund të krahasohet me sulmuesin e shquar Graem Sharp. Një krahasim mes dy epokave të klubit të Evertonit, asaj të konsakruar në vitet 1983-1988 nën drejtimin e trajnerit të shquar Hauard Kendëll, dhe këtij të sotmit, ende në hapat e parë të rritjes, me Karlo Ançelotin në stol.

Këto krahasime nisin e bëhet të pashmangshme tani që blutë e Liverpulit u ngjitën në vendin e parë të Premier Ligës me 12 pikë të plota e me 12 gola të shënuar, pas fitores 4-2 ndaj Brajtonit. Në 1984-1985, kur dolën kampion për herë të parë pas 15 viteve, nisja e sezonit ishte shumë më e keqe, me dy humbje, edhe pse fundi ishte fenomenal, me titullin, Kupën e Kupave të Europës dhe finalen e Kupës së Anglisë humbur 0-1 me Mançester Junajtidin. Atëherë, skuadra ishte e ashpër, si “arrë gungse”, me lojë tipike angleze, edhe pse me kombinime.

Sauthëll, kapiteni Ratklif, Stiven, Mauntfild, Brejsuell, Stivens, Reid, Sharp, Van der Houve, Shidi dhe Adrian Heth ishin baza e ekipit në 1985. Sot janë Pikford, Mina, Dinje, Kin, Koleman, Sigurdson, Dejvis, Dukure, Risharlison, Kalvert-Ljuin dhe Hames Rodriges. Kalvert-Ljuin ka 6 gola në Premier, Hames Rodriges 3, ndërsa Rodriges ka edhe 2 asistë, po aq sa Risharlison.

Sfidanti.al