Ksavi “parakalon” Kumanin, pranon Barçën me 6 milionë euro në vit!

Padyshim ka qenë një nga legjendat më të mëdha të klubit. Emri i Ksavi Hernandezit nuk mund të mendohet i shkëputur nga ai i Barcelonës, dhe tani duket se binomi do të krijohet përsëri. Mediat europiane shkruajnë se ish-kapiteni ka rënë dakord që të jetë trajneri i ri i skuadrës në fund të sezonit, ndërsa klubi pritet të shkarkojë teknikun Kike Setien. Lajmet janë se Lionel Mesi dhe yjet e tjerë të ekipit e presin Ksavin me krahë hapur.

Ish-mesfushori punon si trajner i skuadrës Al Sad në Doha të Katarit, pikërisht aty ku i dha fund karrierës si futbollist në 2019. Ai ishte kandidat për trajner edhe në fillim të këtij viti, kur u shkarkua Valverde, por nuk pranoi duke vlerësuar se ishte ende i papërgatitur për një detyrë të tillë. Duket se legjenda ka ndërruar mendje, ndërsa besohet se atij duhet t’i jenë plotësuar kushtet e tij.

Ksavi luajti për 17 vjet me Barcelonën, duke luajtur 767 ndeshje e duke shënuar 85, gola si dhe duke fituar 25 trofe, ndërsa në karrierë, me klube e me kombëtare, fitoi 34 tituj. Shpresa është që rikthimi i tij të ndikojë tek Barcelona, në mënyrë që ajo të jetë sërish skuadra e dikurshme, që dominonte në Spanjë, në Europë dhe në të gjithë botën. Flitet se rroga e tij do të jetë 6 milionë euro në sezon.

Sfidanti.al