Grizmani do të vishet si “djall”? Lajmi më i keq për trajnerin Simeone

Futbollisti më i mirë i Atletikos së Madridit, Antoan Grizman, bëri, për herë të parë, një vlerësim publik lidhur me shanset për largimin e tij për te Junajtidi, gjatë verës së ardhshme. Sipas Grizmanit, shanset që ai të largohet nga Atletiko për në “Old Traford”, janë 60 për qind, ndërsa bëri të ditur se gjithçka do të merret vesh brenda dy javësh. Në fakt, nuk është më sekret se Zhoze Murinjo i “djajve të kuq” është mjaft i interesuar për shërbimet e sulmuesit francez, por, sidoqoftë, sipas agjentit të Grizmanit, ky i fundit nuk ka ndërmend që të largohet nga “Visente Kalderoni”.

Por, trajneri i Atletikos, Diego Simeone, ka thënë, në një rast, se lojtari i tij më i mirë do të mund të largohet, gjatë verës, nga ekipi tij, gjë që, tani, e konfirmon, pak a shumë, edhe vetë Grizmani. Pyetjes së gazetarëve të televizionit kryesor francez sesa janë shanset për largimin e tij eventual për tek Junajtidi, sipas shkallës 1 deri në 10, Grizmani u përgjigj – “6”. Ju kujtojmë se, sipas kontratës aktuale me Atletikon, klauzola e veçantë që parashikon shitjen e tij, para skadimit të saj, thotë se ai mund të shitet, vetëm, nëse ndonjë klub ofron 100 milionë euro që, sikurse thuhet, Murinjo e ka në dispozicion që ta sjellë Grizmanin në “Old Traford”.

sfidanti.al