Edhe nëse i mbetet “një dhëmb në gojë” mbetet i rrezikshëm. Reali i Madridit, një nga klubet më fitues të botës, tregoi në Valencia se edhe në “buzë të varrit” di të ngrihet dhe të japë spektakël. Nuk pati rotacion nga Zidan dhe nuk pati diskutime për fitoren “merenges” edhe pse u luajt në fushën e një rivali të sezonit, të paktën për kualifikimin për në Champions.
Dakord, ishin dy penallti, por që të dyja qendronin, ndërsa Kristiano Ronaldo vrapoi t’i gjuante dhe të vendoste një rekord. Ai është tashmë lojtari që ka ekzekutuar më shumë 11-metërsha në historinë e kampionatit spanjoll, plot 72 ndaj 71 të legjendës tjetër të Realit, Hugo Sançez.
A e ka seriozisht Reali i Zidanit këtë moment pozitiv në kampionat (fitore 7-1 e 4-1, përkatësisht me Deportivon e Valencian)? Apo mos vallë ishte thjesht një reagim i një krenarie të prekur rëndë pas eleminimit të tmerrshëm nga Leganjesi në Kupën e Mbretit? Koha do ta tregojë, por madrilenët i kanë të gjitha për të shpëtuar sezonin në Champions. Gjithsesi, për këtë i duhet “marrë leje” Paris SG-së.
Sfidanti.al