Nga pabarazia financiare, tek pabarazia në fushë, ja Kievo-Juventus

Nëse Mançester Junajtid merr 146 milionë euro në vit nga e drejta televizive, Sauthemptoni modest nuk është më poshtë se 123 milionë, dhe po ashtu edhe Uest Hemi apo Stouk Siti. Por, nëse shkon në Itali, Juventusi merr 120 milionë euro në vit, kurse Kievo e Veronës vetëm 32 milionë. Kjo pabarazi në financë, do të thotë pabarazi në sistem, në pushtet, dhe reflektohet edhe në fushën e lojës.

Nëse një lojtar i Kievos bën një faull për karton të verdhë, ai e merr atë pa një e pa dy, por nëse kjo i ndodh një futbollisti juventin, nuk është e sigurt. Përballja në Veronë e tregoi qartë se arbitri Mareska (edhe pse i seksionit të Napolit) nuk pati asnjë hezitim për të dhënë dy të  verdha (të merituara) për Setienin e vendasve, po ashtu përjashtoi Kaçatoren për gjestin e “prangave” (si Murinjo), por nuk ndëshkoi Asamoahn që rrëzoi në zonë pikërisht Kaçatoren duke e goditur nga prapa.

Me Kievon që mbeti me 9 lojtarë, Juventusi e pati çështjen thuajse të zgjidhur aq më tepër me kampionët që kishte në fushë dhe Kedira e Higuain shënuan golat e fitores dhe të kalimit, ndoshta të përkohshëm, në vend të parë, me 2 pikë më shumë se Napoli, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij.

Sfidanti.al