Humbja poshtëruese 0-3, madje në “Santiago Bernabe”, ndezi alarmin te Reali, ndërsa tregoi se disa lojtarëve të tij u “ka ardhur fundi”. Në qendër të kritikave, përsëri, u vu Karim Benzema, loja e të cilit, në fakt, në “El Klasikon” e fundit ishte mjaft e zbehtë, sa duket se edhe presidenti Florentino Perez e ka humbur durimin. Ndërkohë, po përhapen lajme se Serhio Aguero i Mançester Sitit është bërë objektivi nr.1, duke qenë se Interi nuk do që ta lëshojë Mauro Ikardin. “Kun” Aguero, në fakt, nuk është i kënaqur me statusin që ai ka, tani, te Siti i Guardiolës, për më tepër që minutazhi i tij do të pakësohet edhe më tej, në rast të ardhjes eventuale tek ekipi “qytetar” i sulmuesit kilian të Arsenalit, Aleksis Sançez.
Media spanjolle shkruan se ka shumë mundësi që Serhio Aguero të kthehet, mbas gjashtë vitesh, në Madrid, por, kësaj here, në “Santiago Bernabe”. Ky transferim mund të rezalizohet, qysh në janar dhe do të arrijë vlerën prej 70 milionë eurosh, por, sidoqoftë, kjo vështirë se do të mund të ndodhë, duke pasur parasysh se futbollisti argjentinas nuk do të ketë të drejtë që luajë në Ligën e Kampioneve. Krahas Benzemas, pranë derës së daljes së Realit, ndodhet edhe sulmuesi uellsian, Garet Bejli, për të cilin kanë treguar interes disa klube të Premier Ligës.
Sfidanti.al