Pep Guardiola tregon se cili është favorit për Championsin

Mançester Siti është ngjarja e madhe e sezonit. Të duket sikur po flet për Ajaksin e Krujfit, Bajernin e Bekenbauerit apo Milanin e Sakit. Pasi e demonstroi veten si favorit në Premier Ligë, për “qytetarët” e Guardiolës vjen edhe përzgjedhja si favoritë për të fituar Championsin. Gjithsesi, Pep ka një mënyrë të vetën sesi e përcakton favoritin apo favoriten për të fituar “kupën me veshë të mëdhenj”.

“Ne, favoritë për Championsin? – tha ai, në formë pyetjeje, – po ju pyes, për kë luan Mesi? Ai ekip për të cilin luan Mesi, është favorit për Ligën e Kampionëve”. Pra, Pep zgjedh Barcelonën, dashurinë e tij të madhe të dikurshme, “shtëpinë” e tij të përjetshme.

Ka edhe një cimbisje tjetër për të, dhe janë komentet që kërkohen pas fjalëve të Murinjos se “Siti blen mbrojtësit me çmimin e sulmuesve”. “Nuk preferoj të flas për ato që thonë shokët (!!!) e mi”, – ishte përgjigja e tij. Ndoshta, do të kishte dashur të thoshte “kolegët e mi”. Përsa i përket fitores ndaj Njukasëllit, Guardiola pohoi se “duhet të përshtatemi me kundërshtarët, shpesh ata bëjnë presion, presin dhe nuk sulmojnë, por duhet që ne të gjejmë mënyrën për të fituar”.

Sfidanti.al