Barcelona i uron Mesit ditëlindjen dhe pret firmën!

Situata ka ndryshuar plotësisht dhe padyshim për mirë, por “plagët” kanë qenë kaq të thella, dhe vazhdojnë të jenë të tilla, saqë është shumë e vështirë të thuash “PO”. Të gjithë sot thonë se Lionel Mesi do të rinovojë kontratën me Barcelonën, por e vërteta është që superylli është në Amerikën e Jugut me kombëtaren e Argjentinës, dhe besohet se do të vonojë ca. Nëse Argjentina vazhdon rrugën në Kupën e Amerikës, pritja do të jetë më e gjatë, ndërsa në fund të këtij muaji kontrata që e lidh kapitenin me “blaugranët” përfundon.

Gjithsesi, nuk pritet të ketë të papritura, besohet se Leo do të rinovojë sa më shpejt, por klubi ende po bën çmos që të rregullojë gjendjen financiare dhe të krijojë një skuadër që të lejojë kapitenin që të fitojë sërish La Ligën, të cilën ka dy vjet që nuk e fiton, si dhe të fitojë Championsin, gjë që nuk ndodh që nga viti 2015. Këto janë arsyet që Mesi, por edhe Barcelona, nuk ndihen të qetë. Mesi sot mbushi 34 vjeç dhe klubi ia bëri urimin publik si përherë, duke pritur përgjigjen e tij.

Sfidanti.al