Barcelona i falet VAR-it, por i mbijeton urrejtjes në Bilbao

Barcelona vuan, por në fund merr tri pikët që e lejojnë të kthejë distancën e sigurisë në krye të renditjes në La Liga. Skuadra blaugrana kaloi 1-0 transfertën e vështirë kundër Atletik Bilbaos. Por deri te festa, Ksavi dhe të besuarit e tij, duhet të kalonin shumë vuajtje. Pas shumë përpjekesh nga të dyja skuadrat, rezultati do të ndryshonte vetëm në shtesën e pjesës së parë. Rafinja ndali topin në rrjetë, ndërsa sistemi VAR konfirmoi golin e sulmuesit brazilian, që ktheu Barcelonën me epërsinë minimale në dhomat e zhveshjes.

Kryesuesit do të kishin sërish ndihmën e VAR në fundin e sfidës. Baskët realizuan golin e barazimit me Injaki Uilliams, por festa e vendasve u prish nga vendimi i arbitrit për ta anuluar për një prekje të topit me dorë në nisje të aksionit.  Të kota protestat e vendasve, ndërsa në fund festa ishte e Barcelonës që me këtë fitore kthen sërish diferencën prej nëntë pikësh me rivalët e përjetshëm të Real Madrid në krye të renditjes. Tifozët vendas krijuan një atmosferë shumë armiqësore për miqtë, duke u kujtuar se mund të zbresin në kategorinë e dytë.

Sfidanti.al