Barcelona e Coutinho; ka ende shpresa për transferimin

Barcelona mund të shpresojë për sjelljen në Camp Nou të Philipe Coutinhos. Media pranë klubit katalanas zbulon se futbollisti ka arritur një akord me Liverpoolin me këtë të fundit që i ka premtuar se do t’ia lehtësojë gjërat për kalimin e tij në janar te nënkampionët e Spanjës nëse ai pranon që të luajë në ndeshjet e Ligës së Kampioneve me fanelën e ‘The Reds’. E gjithë kjo u arrit pas rebelimit të Coutinhos për mungesën e transferimit të tij në Spanjë që në merkaton e verës me futbollistin që kërkoi edhe mosaktivizimin e tij me skuadrën e Liverpool në ndeshjet e Ligës së kampioneve.

Kjo situatë e krijuar bëri që të nisin një sërë bisedimesh mes palëve deri në arritjen e këtij akordi i cili duket se nuk lë asnjë të pakënaqur. Gjithsesi, e gjithë kjo do të bëhet konkrete nëse Barcelona ofron një shifër të pranueshme për drejtuesit e Liverpoolit. Ndërkaq, mësohet se Barcelona nuk i ka shkëputur kontaktet me futbollistin dhe është e vendosur të plotësojë dëshirën e trajnerit Valverde që e dëshiron me cdo kusht në skuadër edhe pse e di shumë mirë që nuk mund ta aktivizojë Coutinhon në Ligën e kampioneve.

Sfidanti.al