Kokat e rruara nuk e ndihmojnë Interin, “doktor” Spaleti të gjejë shërimin!

Paralajmërimi ishte dhënë që në Krotone. Një Inter “pa ngjyrë” ia doli të fitonte në fundjavë, por mrekullitë nuk përsëriten shpesh. Nëse nuk ke lojën, vështirë të marrësh gjithnjë tri pikët, dhe nëse ritmi ulet, atëherë nuk je dot “anti-Juventusi”.

Trajneri Luçiano Spaleti ka shumë gjëra për të zgjidhur dhe shumë presion për të përballuar pas barazimit 1-1 në fushën e Bolonjës, në një përballje të Serisë A që mund të kishte qenë humbje. Nëse në Kalabri, zikaltërit u shpëtuan nga duart “e arta” të portierit Handanoviç, këtë herë goditja e Verdit ishte e tillë që nuk mund të pritej.

Mediat italiane bënë menjëherë “diagnozën” e këtij Interi: Mesfushë e ngadalshme me Zhoao Marion e Kandrevën, Perishiç pak aktiv, ashtu si kapiteni Ikardi në sulm, dhe mbrojtja që nis të tregojë lëkundjet e para, siç u pa me depërtimete Verdit. Do të duhet një personalitet i fortë për të ndryshuar gjendjen, por kuptohet Spaleti ka nevojë edhe për kohën e domosdoshme për të krijuar skuadrën që mendon.

Trajneri me kokë të rruar e mbrojti gjithsesi punën e të vetëve. “Nuk është skandal që barazuam në Boloënjë, – tha ai, – problemi është që në pjesën e parë ishin kundërshtarët më mirë se ne, ndërsa duhet të ndodhë e kundërta. Duhet të jemi ne që të japim ritmin e ndeshjes”. Më tej, ai hodhi poshtë kritikat për “vjedhje” që iu bë Bolonjës. “Më duket përfundim i ekzagjeruar, barazimi ishte rezultati më i drejtë”.

Sulmuesi me kokën e rruar, Mauro Ikardi, shpëtoi ekipin nga humbja, falë naivitetit të mbrojtjes bolonjeze që shkaktoi penallti, por gjithsesi, Interi duhet të nxitojë që të jetë gati sa më shpejt. Ndryshe, Juventusi e Napoli mund ta lenë pas.

Sfidanti.al