Kampionët e topit që humbën duelin me kilogramët

Janë shumë futbollistë të kaluarës dhe të tashmes që përveç përballjes me kundërshtarin në fushë, më parë duhet të luftonin me veten e tyre.  Beteja me kilogramët, me peshën e tepërt në trup,  ka përfshirë futbollistë të vitrinës, kampionë të mëdhenj si “El Pibe”, Maradona , apo fenomeni brazilian Ronaldo, që sapo mbërriti në fund të karrierës , trupi i tij nisi të majmej. Apo nigeriani Akinfeua që ngushëllohente veten për kilogramët e tepërt duke thënë se kishte passion për body buildingun.

Kjo beteje ka patur emra konkretë. Saimir Nasri, më parë se të largohej nga Siti tek Sevilja, ka qënë i detyruar nga trajneri Guadiola për të humbur peshë. Një dietë spartane, nëse nuk donte të shkonte para kohe në shtëpi.  Rasti më flagrant është “El pibe de oro”, Maradona, i cili vari këpucët në gozhdë kur kilogramët po fitonin duelin me të.

Ju kujtohen  vitet e fundit të brazilianit fluturues Ronaldo? Fenomeni që e tradhëtonin shpeshherë gjunjtë “delikatë”,  në sezonin 2007-8 me Milanin, nisi të zmadhonte figurën për shkak të peshës. Aq sa thonin se ishte një patologji që po ngathësonte kampionin.  Edhe një brazilian tjetër, potent, i talentuar me topin, Adriano,  kur shfaqej para pasqyrës..ishte i humbur. Historia e trishtuar e Adrianos, një karrierë e mbushur me vese jashtë fushe, sikur të mos mjaftonte, nisi edhe rëndimi në peshe i “perandorit”.