Të rrallë janë ata lojtarë që mund ta bëjnë këtë. Të shënosh 23 pikë në vetëm 10 minuta ndodh rrallë në basketboll. Gjithsesi, nuk habitesh shumë kur mëson se ia ka dalë më i miri lojtar i dy sezoneve të fundit në NBA, Stefën Kërri. Zëvendëskapiteni i Golden Stejtit u kujtua pak vonë, por sapo hyri në ritmin e tij ishte i papërmbajtshëm në Arenën e Portlendit.
Vendasit, që e patën tepër të vështirë edhe pa koshat e tij, ishin të pashpresë në periodën e tretë kur Kërri realizoi shpërthimin 23-pikësh. Ai e mbylli ndeshjen me 28 pikë gjithsej dhe nënkampionia amerikane triumfoi 127-104 ndaj Trejl Blejzërsit. Spektakli i yllit të Golden Stejtit la në hije shfaqjen tjetër shumë të bukur të Damien Lilardit për Portlendin, që shënoi 31 pikë, por u ndihmua pak nga skuadra.
Në të kundërt, Uorriorsi pati Durantin që shënoi 20 pikë, lojtarin rezervë Klark që realizoi 16, si dhe Drejmond Grinin që bëri pak nga të gjitha. Me këtë formë të Kërrit dhe me humbjen e papritur në shtëpi të San Antonios, Golden Stejt përmirësoi pozitat në Konferencën Perëndimore, ndërsa kampionia Klivlend mbetet ende e pathyer.
B. Kuka