Rekordi i tij ishte 1.5 milionë stërlina, nja 70 herë më pak sesa rekordi i yllit të sotëm. Kjo nuk e pengon, gjithsesi, emrin e madh të dikurshëm, Brajan Robson, që të kritikojë atë që pritet të bëjë “namin”, Pol Pogbanë.
Kapiteni autoritar i Mançester Junajtidit të viteve 80-të, ka disa fjalë për francezin e ri që e veshi sërish fanelën e madhe këtë verë. “Jam i bindur se Pol do të jetë një sukses në “Old Traford”, – u shpreh ish-numri 7 i famshëm, – ai edhe tani po luan mirë, por është vetëm një nivel i mirë, ndërsa të gjithë e dimë se mund të japë shumë më tepër”.
“Unë mendoj se ai nuk duhet t’ia komplikojë gjërat vetes, të mos përpiqet patjetër të bëjë gjërat më të vështira të mundshme, por të luajë thjesht, siç ka luajtur kur ishte më i ri”, – ishin fjalët e tjera të Robsonit.
Vërtet një këshillë e bukur nga një rekordmen, shifra e të cilit 1.5 milionë stërlina në 1981, habiti botën e futbollit. Ish-kapiteni thotë se Pogba nuk duhet të mendojë për vlerën e kartonit prej 100 milionë eurosh, pasi kjo thjesht do ta pengonte.
B. Kuka