Junajtidi do t’i dënojë lojtarët, guxoni të dështoni në Kamp Nou

Klubi i Mançester Junajtidit do ta konsiderojë si një dështim të madh moskualifikimin në Ligën e ardhshme të Kampioneve (LK) dhe, nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë të parët do ta pësojnë lojtarët e tij.
Gazeta “Sun” shkruan se, nëse “djajtë e kuq” nuk do të zënë vendin e 4-të në Premier Ligë që garanton kualifikimin për në LK-në e ardhshme, secilit nga lojtarët, si dënim, do t’u mbahen 25 për qind e rrogës. Spekulohet se një dënim i tillë eventual mund të çojë në largimin e ndonjë lojtari kryesor nga “Old Traffordi”. Spekulim i parë lindi lidhur me Pol Pogban që në disa raste ka thënë se do të largohet nga “Old Trafordi”, por për të cilin trajneri i ri i Junajtidit, Ole Solskjer, ka thënë se nuk mund ta imagjinojë dot ekipin sezonin e ardhshëm pa këtë lojtar.
Sidoqoftë, duhet të pritet të mbarojnë një herë Premier Liga dhe LK-ja, pasi “djajtë e kuq” akoma kanë shanse reale që të kualifikohen për në LK e sezonit të ardhshëm.
Sfidanti.al