Levandovski-Koman, sherret janë në modë tek Bajerni

Kur je në bibliotekë, konflikti fizik është thuajse i pamundur. Në një studio televizive, gjakrat mund të nxehen deri në debate të ashpra verbale me sharje dhe ofendime. Në sport, pra edhe në futboll, është si në luftë, çdo përplasje e pakujdesshme që shkakton dhimbje fizike apo tension nervor, mund të çojë në kacafytje.

Në fushën stërvitore të Bajernit, gjakrat u nxehën nga një koment ndoshta jo i kujdesshëm nga ana e Robert Levandovskit për Kingli Komanin, gjë për të cilën francezi u ndje i fyer. Kjo bëri që ai ta sulmonte polakun, dhe mes të dyve u shkëmbyen grushte. U desh të ndërhynin shokët e skuadrës, Boateng dhe Zyle, që ty “gjelat” të ndaheshin, ndërsa trajneri Niko Kovaç i habiti të gjithë, pasi fillimisht deshi t’i përjashtonte nga stërvitja, por pastaj ndryshoi mendje dhe i mbajti aty.

Konflikti në stërvitje nuk është diçka e re te kampionët e Gjermanisë. Në gusht 1999, një sherr i momentit shpërtheu mes dy kampionëve të botës, francezit Biksent Lizarazu dhe Lotar Mateusit, ku Lizarazu e kapi për fyti kapitenin dhe deshi ta qëllonte me shuplakë. Natyrisht, edhe Mateusi nuk mbeti prapa, por u desh ndërhyrja e trajnerit Otmar Hicfeld që ata të qetësoheshin dhe të harronin gjithçka për 5 minuta.

Në 2002-2003 ishte radha e konfliktit mes Samuel Kufurit dhe Jens Jeremisit, dhe në atë rast “paqeruajtës” u bë Torsten Finku. Në të dy sezonet, Bajerni doli kampion, pavarësisht grindjeve, ndërsa në 2003 fitoi edhe Kupën.

Sfidanti.al