Inzagi kënaqet me personalitetin e Interit, Ançeloti me klasin e ri të Realit

Ndeshja duhej të kishte qenë për vendasit, por kështu nuk ndodhi. Interi pësoi një tjetër humbje ndaj Realit, madje në “San Siro”, dhe tani ka 23 vjet që nuk ia del ndaj spanjollëve, që nga mbrëmja e madhe e Roberto Baxhos në fitoren 3-1 në 1998. Trajneri Simone Inzagi, i hidhëruar nga përfundimi, theksoi anët pozitive të ndeshjes, ndonëse po qe se zikaltërit nuk do të kenë më shumë cilësi, vështirë se mund t’ia dalin ndonjëherë. “Djemtë bënë një ndeshje shumë të mirë, – tha trajneri Inzagi, – me personalitet ndaj një ekipi të madh si Reali. Na vjen keq për rezultatin e padrejtë, që nuk tregon atë që ndodhi në fushë, por ky është futbolli. Le të kënaqemi me paraqitjen dhe të përmirësohemi”.

Po trajneri i Realit, Ançeloti, çfarë mund të thotë për ekipin e tij që nuk bindi, por sërish fitoi? “Ne kemi djem të rinj me shumë cilësi, – thotë italiani, – edhe pse kanë nevojë për përvojë. Duhet të përmirësojmë lojën në mbrojtje. Ndeshja ishte me ritëm shumë të lartë, Interi luajti me shumë energji, sidomos në pjesën e parë, por pas pushimit ne ishim më mirë”. Në Madrid theksuan se “prandaj ky ekip është legjendë dhe ka 13 tituj në Champions”, ndonëse nuk duan të thonë se Reali ka qenë gjithnjë një ekip i favorizuar nga shteti, sidomos në kohën e Frankos, me fuqi financiare dhe përvojë tepër të madhe. Gjithsesi, pavarësisht talentit të Rodrigos apo Vinisiusit, sërish ekipi i Ançelotit do ta ketë të vështirë të sfidojë anglezët, aq më tepër që nuk mori dot Mbapenë.

Sfidanti.al