Inter, pa Lukakun kundër Realit; i duhet Lautaro i vërtetë

Romelu Lukaku nuk do të luajë ndaj Realit të Madridit në Alfredo Di Stefano në ndeshjen delikate të Ligës së Kampioneve. Sulmuesi belg ka pësuar një dëmtim në aduktorët e kofshës së majtë dhe nuk udhëtoi me skuadrën drejt Madridit për këtë sfidë me Los Blancos dhe me shumë mundësi nuk do të luajë as të dielën ndaj Atalantës në Serinë A

Lajm të mirë, Antonio Conte merr nga Alexis Sanchez që është riaftësuar nga dëmtimi në aduktorin e djathtë, por me shumë gjasa do të nisë sfidën  nga pankina. Po kështu edhe Skriniar po sheh dritë në fund të tunelit pas pozitivitetit me Covid-19

Me rikthimin në stërvitje pas barazimit me Parmën, Antonio Conte u përsëriti futbollistëve të tij konceptet e shprehura edhe pas përfundimit të ndeshjes së San Siros; ndaj Realit të Madridit kërkon më shumë vendosmëri dhe agresivitet. Është ky një mesazh i fortë për të gjithë, por më shumë për Lautaro Martinez që nuk shënon që nga 4 tetori dhe që ka nevojë që të rigjejë rrugën e rrjetës për t’u kthyer sulmuesi i pandalëshëm që ndëshkon të mëdhenjtë e futbollit evropian. Përkrah argjentinasit ka më shumë gjasa që të jete Perisic se Pinamonti, ndërsa Eriksen është i destinuar të jetë edhe një herë jashtë formacionit titullar.

Sfidanti.al