Inter, nga Parisi vjen një siguri; i pamundur shkëmbimi Eriksen-Paredes

Nuk mjafton vetëm ardhja e Mauricio Pochettino për të parë Christian Eriksen me fanelën e Paris Saint Germainit e as Paredes me atë të Interit. në Francë, të paktën sipas ‘Le Parisien’, asgjë nuk është vendosur në lidhje me një shkëmbim të tillë dhe me shumë mundësi një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Nuk është se trajneri i ri i parizienëve nuk e di Eriksen, është krejtësisht e kundërta. Problemi është Paredes që nuk ka ndërmend të largohet nga kampionët e Francës në merkaton e këtij muaji; nëse danezi Eriksen do të lërë Interin për t’u transferuar në Paris, në këtë rast do të duhet një operacion më vete.

Në të vërtetë, pavarësisht nga ajo që flitet në Francë, për momentin nuk ka asnjë ofertë konkrete për Eriksen. Sigurisht interesi ekziston, por ende nuk ka asgjë konkrete. Po kështu interes për danezin kanë shfaqur edhe Manchester United dhe Arsenal, por edhe klubet angleze nuk kanë bërë ende asnjë ofertë për të.

Christian Eriksen do të largohet, por nuk do të jetë një lamtumirë e shpejtë si ajo e Nainggolan. Përsa i përket Paredes, pozicioni është i qartë; nuk është prioritet për Interin, që fillimisht kërkon një sulmues të katërt dhe për këtë arsye shitja e Eriksen do të mund të shërbente për të zhbllokuar situatën me Alejandro Gomez, ndërsa në mesfushë, Conte dhe Inter duan të vlerësojnë fillimisht rikthimin e Vecinos.

Sfidanti.al