Andres Iniesta luajti ndeshjen e tij të fundit me përfaqësuesen e Spanjës, por, për fat të keq, atij iu desh që të ndahej në një mënyrë të palavdishme, pasi ekipi i tij u eliminua nga përfaqësuesja ruse që në 1/8-tën e finaleve të kampionatit botëror. Ai e pranoi edhe vetë se po largohej me një shije të keqe. Iniesta, pak kohë më parë, ishte në qendër të veëmendjes se ai u largua, fillimisht, nga Barcelona, kurse, tani, ai në rrethana krejt të tjera i dha lamtumirën edhe përfaqësueses së vendit të tij. Kështu, ky futbollist që ka shënuar para tetë vitesh golin që i dha titullin e kampionit të botës Spanjës, detyrohet që të largohet para kohe nga Kupa e sivjetme e Botës.
“Po, është e saktë, kjo ishte ndeshja ime e fundit me përfaqësuesen. Duke e parë në aspektin individual, u mbyll një periudhë e mrekullueshme. Nganjëherë, fundi i karrierës nuk është ashtu, siç do ta dëshironim ose do ta ëndërronim. Ky eliminim me siguri që do të jetë më i dhimbshmi në karrierën time. Po largohem me një shije të keqe”, vuri në dukje Andres Iniesta mbas ndeshjes me Rusinë që u kualifikua me penallti për në çerekfinale.
Sfidanti.al