A besoni dot: De Gea – portieri më i dobët që nga Botërori 1966!?

Spanja u eliminua në mënyrë sensacionale nga kampionati botëror i Rusisë nga përfaqësuesja e vendit mikpritës në një të tetën e finaleve dhe shumëkush fajëson për këtë disfatë portierin David De Gea. Që De Gea nuk shkëlqeu në këtë Botëror, kjo tanimë është e qartë për të gjithë, pasi ai pësoi lehtë gola që në ndeshjen e parë me Portugalinë, por, tani, në publik doli një statistikë, sipas së cilës, ai është jo vetëm portieri më i dobët në këtë Botëror, por se e mban këtë “titull” prej një kohe shumë më të gjatë.
Portieri i Mançester Junajtidit bëri vetëm një pritje në këtë Botëror, ndërsa pësoi gjashtë gola, pa llogaritur ata që pësoi në “ruletën” ruse të penalltive. Ky është numri më i vogël i pritjeve nga një portier që nga kampionati botëror i vitit 1966 në Angli deri më sot!
Sidoqoftë, krahasime të tillë mund të mos jenë të saktë, pasi, atëkohë, nuk luheshin nga tri ndeshje në grup. Dhe kush do të mund ta parashikonte se portieri që zhvilloi një sezon të shkëlqyr me Mançester Junajtidin, do të pësonte një fiasko aq të madhe në Botëror.
Sfidanti.al