Goli i fitores së Belgjikës, sikur ta kishte shënuar Usain Bolti!

Duheshin edhe 31 sekonda deri në përfundim të shtesës. Tensioni ishte i madh, por jo për futbollistët e Belgjikës, duke nisur nga portieri Kurtua. Ata shënuan golin e tretë dhe të fitores ndaj Japonisë, në minutën e 94-ët, dhe aksioni që kompletoi përmbysjen do të hyjë në histori. U deshën vetëm 9.4 sekonda që nga koha kur Kurtua pasoi me dorë për Kevin De Brujnin, derisa Naser Çadli e dërgoi topin në rrjetë.

Një nga golat më të shpejtë, dhe më përcaktues në kupat e botës. Aksion i shkëlqyer i një skuadre të madhe. Filloi me Kurtuanë, vazhdoi me vrapimin e menduar mirë të De Brujnit, me lëvizjet mashtruese të Lukakut, që ndihmuan mbrojtësin Mënier, pastaj me pasimin e këtij të fundit, sërish me lëvizje mashtruese të Lukakut, dhe goditjen e saktë të Çadlit, në vendin e duhur, në kohën e duhur.

Qartësi e madhe mendimi pasi mbi 95 minutash lojë, tregues i qartë se çfarë force fizike dhe mendore kanë futbollistët e Belgjikës. Natyrisht, ata u ndihmuan nga naiviteti i japonezëve që u hodhën në sulm, duke u zbuluar prapa, por kjo është diferenca e klasit dhe përvojës. Jo më kot, Belgjika cilësohet si një nga pretendentet kryesore për të fituar Kupën e Botës, edhe pse sfida çerekfinale ndaj Brazilit do të jetë shumë, shumë e vështirë.

Sfidanti.al