Granit Xhaka, provokimet suedeze dhe tallja me shenjën e shqiponjës!

Festimi i tij me shqiponjë pati më shumë vëmendje sesa ai e mendonte. Edhe kundërshtarët e radhës, suedezët, nuk ngurruan të merreshin me gjestin e Granit Xhakës, ndërsa përgatiteshin për duelin me Zvicrën. Mbrojtësi Pontus Janson bëri shaka duke imituar shqiponjën gjatë stërvitjes së skuadrës së tij, ndoshta në momentin që u fotografua, apo kur u shënua ndonjë gol në përgatitje e sipër. Në foto duken edhe disa lojtarë të tjerë të Suedisë duke qeshur, pra me siguri Janson u tall me festimin e Xhakës.

Jo vetëm kaq, por suedezët bënë edhe plane për ta përjashtuar shqiptaro-zviceranin nga fusha e lojës, ose të paktën ta detyronin të merrte karton të verdhë për të mos luajtur aq fort sa normalisht. Këtë mendim e dhanë futbollistë si Mikael Lustig apo Xhon Guideti, të cilët u mbështetën te kartonët e shumtë të kuq që Xhaka ka marrë më parë në Bundesligë, dhe së fundmi në Premier Ligë me Arsenalin.

Gjithsesi, mesfushori u shfaq i qetë në konferencën e shtypit përpara ndeshjes, duke thënë se “kjo është pjesë e provokimeve që bëhen zakonisht përpara ndeshjeve, shokët më kanë treguar se çfarë kanë thënë ata, por për mua nuk përbën asnjë problem”. Xhaka u tregua më i prerë kur iu kërkua mendim për talljen për shenjën e shqiponjës. Ai refuzoi të përgjigjej dhe përfaqësuesi i FIFA-s u detyrua t’i thoshte gazetarit suedez që të përqëndrohej vetëm tek pyetjet për ndeshjen.

Sfidanti.al