Ibra, Suedia jote nuk ta jep “vizën” për në Botërorin rus

Ylli i madh edhe mund të jetë në Rusi këtë verë, por jo si futbollist. Një nga lojtarët më të shkëlqyer, por edhe më arrogantë të brezave të fundit, Zllatan Ibrahimoviç, mori një përgjigje të hidhur në distancë nga trajneri i Suedisë, Jane Anderson. Selektori skandinav nuk deshi të linte asnjë hije dyshimi.

“Për mua është gjithçka shumë e qartë, – u shpreh ai, – pas Euro 2016-ës, (Ibra) e la kombëtaren. Kur folëm bashkë, ishte shumë i qartë me mua dhe nuk mendoj se duhet të kthehet”. Zllatani e kishte kërkuar hapur rikthimin në kombëtare dhe pjesëmarrjen në Botëror, madje duke thënë në mënyrë të palëkundur se “unë do të jem në Kupën e Botës”.

Anderson sidoqoftë ka një filozofi tjetër. “Nëse nuk ke dëshirë të shpenzosh 40-50 ditë me kombëtaren, por dëshiron të rrish me familjen, për mua nuk ka asnjë problem, dhe unë e respektoj si vendim, – u shpreh ai, – por, nëse gjërat janë kështu, nuk mendoj se lojtari duhet të kthehet. Ibra nuk është në planet e mia”.

Sfidanti.al