Kur luan në Spanjë një ndeshje të Euroligës, shumë rrallë mund të qëllojë që ta fitosh. As edhe kampionia në fuqi nuk ia doli ta shmangte këtë rregull, dhe Fenerbahçe provoi humbjen e parë në plej of, ndërsa vizitoi fushën e Baskonia Vitorias. Shifrat ishin 88-83 dhe skuadra vendase shfrytëzoi faktorin fushë për t’i shkaktuar humbjen e parë ekipit të trajnerit Zheljko Obradoviç.
Baskonia realizoi 14 gjuajtje për tri pikë në 25 tentativa, 9 prej të cilave vetëm në pjesën e parë (gjysmën e ndeshjes). Fenerbahçe ishte ende në lojë në fund të periodës së tretë (66-67), por Vitoria e nisi periodën e katërt duke shënuar 15 pikë radhazi ndaj 0 të turqve, dhe u shkëput përfundimisht. Rodrige Bëbua ishte lojtari më i mirë i spanjollëve me 21 pikë e 5 asistë, ndërsa Feneri u mbështet tek Jan Veseli (17 pikë, 10 topa në tabela) e Kostas Slukasi (14 pikë, 11 asistë). Turqit kryesojnë serinë çerekfinale 2-1, ndërsa ndeshja e katërt luhet po në Spanjë.
Në përballjen tjetër të mbrëmjes, Zhalgirisi e shfrytëzoi po ashtu faktorin fushë duke shkatërruar Olimpiakosin e fortë, 80-60, e duke kryesuar në plej of 2-1 me fitore. Amerikani Dejvis (18 pikë) e lituanezi Jankunas (13 pikë, 6 topa në tabela, 3 asistë) ishin lojtarët më të mirë për ekipin e Kaunasit që mund të kualifikohet për në katërshen finale nëse fiton ndeshjen e katërt që do ta luajë po në Lituani, në prani të mbi 14 000 spektatorëve.
Sfidanti.al