“Lidhja” e Juventusit dhe e Kristiano Ronaldos mbushi gjashtë muaj, pra që nga ardhja e asit portugez në Torino. Mbas nëntë vitesh me Realin e Madridit, Ronaldo vendosi që të provojë një sfidë të re në karrierë dhe deri tani atij po i ecen mirë. Shifrat e arritura nga ai janë të shkëlqyera dhe ato më së miri duken në rezultatet që po arrin Juventusi që udhëheq bindshëm në tabelën e klasifikimit të Serisë A, ndërkohë që ai do të luajë edhe në 1/8-tën e finaleve të Lidhjes së Kampioneve (LK).
Në 19 ndeshje të kampionatit italian, Ronaldo ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë pesë asistenca për gol. Siguria e pasimeve të tij është 85,3 për qind dhe, deri tani, ai është shpallur pesë herë futbollisti më i mirë i ndeshjes.
Në LK ai ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy pasime goli, ndërkohë që pritet që ai të shkëlqejë, sikurse ka ndodhur gjithnjë, në fazën nokaut konkurrimit elitar evropian. Kundërshtare e Juves do të jetë Atletiko e Madridit, kundër së cilës Ronaldo ka shënuar gola rregullisht, kur luante me Realin.
Sfidanti.al