Frenkie de Jong, mesfushor holandez i Barcelonës, ka konfirmuar dëshirën e tij për të vazhduar aventurën në “Camp Nou”. Në një intervistë për revistën ‘Voetbal International’, para ndeshjes së fundit të Holandës ndaj Maltës në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026, 28-vjeçari tha se është i hapur për rinovim dhe pret që gjithçka të zyrtarizohet së shpejti. “Unë dua të qëndroj, edhe klubi dëshiron të më mbajë. Zakonisht, në raste të tilla, arrihet një marrëveshje. Shpresoj që kjo të ndodhë shpejt,” u shpreh De Jong, që ka kontratë deri në vitin 2026. Sipas mediave spanjolle, rinovimi është në pritje të ndarjes zyrtare nga menaxheri i tij aktual, Ali Dursun, për të bërë të ditur për drejtuesit e klubit se kush do ta përfaqësojë në negociatat e reja.
“Ky nuk ishte sezoni im më i mirë personalisht”
Edhe pse fitoi tre trofe me Barcelonën dhe arriti deri në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, De Jong nuk e konsideron sezonin e kaluar si më të mirin në aspektin personal. “Nuk ishte sezoni im më i mirë. Njerëzit kanë tendencë të ekzagjerojnë. Kam qenë i dëmtuar për një kohë, por edhe më parë kisha luajtur mirë. Skuadra këtë sezon ishte më e fortë, kjo bën dallimin,” tha ai.
Për Championsin, ai shprehu keqardhjen për eliminimin dramatik:
“Dhemb që nuk shkuam në finale, por mund të jetoj me faktin që PSG fitoi, sepse luajtën futboll të bukur. Ndoshta mirë që Interi humbi, përndryshe do të na mundonte mendimi ‘po sikur…?’ Ky ishte sezoni i gjashtë për De Jong te Barcelona, pas transferimit nga Ajax-i në vitin 2019.
sfidanti.al