Italianët e quajnë “krahu i hekurt” apo “braccio di ferro”, që në shqip përkthehet “sfidë me kyçe”. Mauro Ikardi ka vendosur ta vazhdojë këtë duel me Interin, pasi ka refuzuar që të udhëtojë për në Gjermani, për ndeshjen e parë të të tetave të finaleve të Ligës së Europës. “Ndjej ende dhimbje, nuk mund të luaj”, – ishte përgjigja e sulmuesit për trajnerin Spaleti, pasi ky e pyeti nëse ndihej gati apo jo për sfidën ndaj Ajntrahtit të Frankfurtit.
Hera e fundit që ish-kapiteni luajti për zikaltërit ishte në 9 shkurt, ndërsa në 13 i hoqën shiritin me vendim të klubit. Që nga ajo ditë, ai nisi fizioterapinë për një dëmtim kronik në gju. Përgjigja negative e argjentinasit pritet të anulojë takimin e parashikuar për sot, mes palëve, për të sqaruar pozicionet. Për më tepër, vazhdojnë ironitë dhe thumbat në rrjetet sociale nga vetë Ikardi apo e shoqja, Uanda Nara.
Sfidanti.al