Bixhoz dhe mungesë gjumi, Runi po largohet nga Junajtid

Kur Zhoze Murinjo erdhi verën e kaluar në “Old Traford” ai ishte i bindur se Uejn Runi do të ishte një nga themelet për rindërtimin e Mançester Junajtid. Flitej për kapitenin, lojtarin më të shquar dhe sulmuesin kryesor. Shpejt, trajneri kuptoi se numri 10 mund të kishte vetëm një rol periferik. Ai ka luajtur shumë rrallë si titullar, dhe ka shënuar pak gola këtë edicion. Së fundmi, tabloidi “San” (The Sun) shkruajti se dy muaj më përpara Runi la plot 500 000 paund stërlina brenda dy orëve në një kazino, duke luajtur ruletën apo “e kuqe, e zezë”. Pavarësisht se nuk mund të silleshin prova të pakundërshtueshme, sërish njerëzit e afërt me sulmuesin pranonin se kjo kishte ndodhur, por thoshin se ishte humbur vetëm gjysma e kësaj shume.

Nuk është hera e parë që flitet për jetën private të Runit, dhe sidomos në aspektin e regjimit sportiv. Ai u detyrua të kërkonte falje vitin e kaluar kur u fotografua duke pirë alkool e duke flirtuar me një femër të panjohur, në orët e hershme të mëngjesit, pas një ndeshjeje të kombëtares së Anglisë.  Tashmë, Murinjo po e cilëson Uejnin si “tepër të shtrenjtë”, pasi ai merr rrogën më të lartë tek Junajtid dhe bën pak punë. Këtë sezon, Runi ka shënuar vetëm 5 gola, ndërsa në tre edicionet e fundit kjo shifër është 25, aq sa Mesi apo Ronaldo i shënojnë në 6 muaj. Pritet që në moshën 31-vjeçare, Runi të provojë futbollin amerikan, pasi ai i Premier Ligës është pak si shumë për fizikun e tij.

Sfidanti.al