Ernest Gjoka është trajneri i vitit në Maqedoninë e Veriut, pas titullit me Shkëndinë!

Sezoni ishte i shkëlqyer dhe u shpërblye për këtë. Ernest Gjoka është një njeri i lumtur jo vetëm sepse fitoi titullin në Maqedoninë e Veriut, por edhe sepse u shpall si trajneri më i mirë i vitit. Tekniku 51-vjeçar nga Tirana është në stolin e kuqezinjve që nga viti 2019, ndërsa edicionin e kaluar doli në vend të tretë. Sezoni që sapo u mbyll ishte triumfues për tetovarët që fituan titullin për herë të katërt në histori, dhe grumbulluan 75 pikë. Shkëndija e mbylli kampionatin me 16 pikë epërsi ndaj Shkupit të vendit të dytë, në një edicion ku skuadrat nga qytetet shqiptare ishin më të fortat për herë të parë në histori.

Në tre vendet e para ishin Shkëndija e Tetovës, Shkupi dhe Struga, ndërsa skuadra më e lavdishme në historinë e futbollit maqedonas, Vardari i Shkupit që ishte kampioni në fuqi, ra nga kategoria në mënyrë të pabesueshme dhe për herë të parë. Nën udhëheqjen e Gjokës, Shkëndija luajti mjaft mirë edhe në Ligën e Europës gjatë gushtit e shtatorit, duke eleminuar Sumgajitin e Azerbajxhanit dhe Botoshanin e Rumanisë, e duke u ndalur në turin e tretë eleminator nga Totenhemi anglez i drejtuar nga Zhoze Murinjo. Gjoka e ka fituar titullin kampion edhe në Shqipëri me Kukësin, si dhe Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin.

Sfidanti.al