Ky edicion nis më shpejt sesa në të kaluarën. Në nëntor e dhjetor zhvillohet Kupa e Botës në Katar, ndaj edhe futbolli europian nxiton, dhe i pari nga vendet e mëdha ishte Gjermania. Në shtetin kontinental filloi sezoni i Kupës dhe ndeshjen e parë e luajti Borusia e Dortmundit. Verdhezinjtë e trajnerit Marko Roze ishin në fushën e TSV 1860 Mynihut, dikur skuadër e shquar e Bundesligës, ndonëse sot është e rënë “nga vakti”. Dortmundi fitoi pa probleme 3-0 duke kaluar në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë, me 3 gola të shpejtë shënuar që në pjesën e parë nga Malen, Belingham dhe Adejemi. Shkëlqeu në mënyrë të veçante sulmuesi holandez, Doniel Malen, që shënoi njërën nga rrjetat dhe shërbeu asistin e golit të tretë.
Natyrisht që një ndeshje e vetme nuk mund të shërbejë për të nxjerrë përfundime, veçse Borusia ka mjaft pretendime këtë vit. Klubi ka bërë përforcime, edhe pse është larguar Erling Halandi, ndërsa sulmuesi Haler i ardhur nga Ajaksi për fat të keq është i sëmurë. Ndaj TSV 1860 Mynihut u paraqitën shumë mirë përforcimet e tjera të verës. Këta ishin ish-mbrojtësi i Bajernit dhe mbrojtësi i Gjermanisë, Niklas Zyle, mbrojtësi tjetër Shloterbek, si dhe sulmuesi i ardhur nga Salcburgu, Karim Adejemi që shënoi golin e tretë.
Sfidanti.al