Superylli portugez kishte një të drejtë në shfrimin e tij ndaj disa mediave për lajmet që përhapen. “Nëse nuk merren me mua, nuk fitojnë para, – akuzoi ai, – le të vazhdojnë të përhapin gënjeshtra, por një ditë do të marrin një lajm tjetër”. Në të vërtetë, mediat nuk kanë edhe aq shumë faj, pasi publiku sportiv dëshiron të dijë diçka të vërtetë lidhur me të ardhmen e Kristiano Ronaldos, diçka që as vetë CR7, as agjenti i tij, Mendes, dhe as Mançester Junajtidi nuk e tregojnë. As klubi misterioz që thuhet se e kërkon.
Ajo që dihet është vetëm që Kristiano nuk shkoi në Norvegji për miqësoren ndaj Atletikos së Madridit, dhe që të dielën do të luajë në “Old Traford” kundër Rajo Vajekanos. Këtë të fundit, e lajmëron vetë portugezi. Gjithsesi, e ardhmja e tij duket larg “Old Trafordit”, ndërsa po thuhet se edhe Sportingu i Lisbonës e do. Duket e vështirë që kjo të ndodhë.
Sfidanti.al