Dominimi në zotërimin e sferës nga iberikët ishte i qartë, dhe nuk duket se ka ndonjë ekip që mund t’ia heqë Spanjës këtë epërsi, madje as Brazili apo Argjentina. Trajneri i Francës, Didie Deshamp, nuk e pati problem ta pranonte këtë fakt në konferencën e dhënë pas fitores së Ligës së Kombeve, ndonëse theksoi se ndeshja e futbollit nuk është vetëm kaq.
“Spanja është mjeshtre për të mbajtur topin, – tha Deshamp, – por, ne patëm karakter dhe zgjuarsi. Ishim agresivë. Jam i lumtur për reagimin që kemi bërë pas asaj që ndodhi në Europian. Të gjitha ekipet kanë probleme, por atmosfera rreth nesh u bë më e vështirë. E gjithë skuadra luajti mirë, por Benzema ishte i shkëlqyer, është rritur shumë si lojtar, nuk është ai që ka qenë para 5 viteve. Padyshim që e meriton Topin e Artë me atë që ka bërë deri tani me kombëtaren dhe me Realin”.