Arsenali kundër Bajernit nuk është një gjë e re në Ligën e Kampionëve. Në tre nga katër sezonet e fundit, dy skuadrat janë ndeshur me njëra-tjetrën dhe gjithnjë ka fituar ajo gjermane. Londinezët kanë arritur thjesht të triumfojnë në dy ndeshje të veçanta, por jo të marrin kualifikimin. “Topçinjtë” u habitën shumë kur mësuan se shorti përsëri ishte treguar i pamëshirshëm ndaj tyre (shih foton). Gjithsesi, trajneri Arsen Venger, ka besim se kjo mund të jetë hera e duhur.
Francezi hedh sytë ndërsa skuadra e tij stërvitet dhe sheh se ka mundësi të hedhë në fushë futbollistë të tillë si Aleksis Sançez, Mesut Ozil, Olivie Zhiru, Shkodran Mustafi, Granit Xhaka, Okslejd-Çembërlen, Ualkot apo Petr Çeh. Megjithatë, duhet tejkaluar barriera psikologjike për sfidat që do të luhen në 15 shkurt në Mynih dhe në 7 mars në Londër. Bajerni ka arritur të fitojë edhe 5-1 ndaj anglezëve, si edhe 2-0 brenda në stadiumin “Emirejts”.