Prag Dortmund-Inter, italianët kundër “murit të verdhë” gjerman!

Pas Barcelonës, është prova tjetër më e vështirë. Interi do të jetë në një sfidë të një lloji tjetër kur të luajë sonte në orën 21:00, në stadiumin e Dortmundit në Champions, dhe trajneri Antonio Konte, është i qartë në atë që kërkon. Skuadra italiane, në pozicion të mirë në grup, duhet të luajë për maksimum, edhe pse rivali është i fortë, dhe sidomos i mbështetur nga dhjetëra mijë tifozë fanatikë.

Frika më e madhe e trajnerit është gjendja fizike e lojtarëve të tij, si dhe shkalla e përqëndrimit për të mos lejuar dështime si ndaj Sllavias, Parmës, Juventusit apo Barcelonës. Mungesa të rëndësishme janë Aleksis Sançez dhe D’Ambrozio, që të dy të dëmtuar, por pjesa tjetër e ekipit është e gatshme.

Tradita në Gjermani, vitet e fundit, nuk është aspak e mirë, por kjo mund të ndryshojë. “La Gazeta delo Sport” huazon thirrjen e dikurshme të presidentit amerikan, Regan, për liderin sovjetik, Gorbaçov: Inter, rrëzojë atë mur! Sonte, vazhdon gazeta, Lukaku do të provojë të zhbllokohet në Europë, në ferrin e verdhë në Dortmund! Fitorja sjell kualifikimin! “Il Korriere delo Sport”: Drithërima për Interin! Konte në vullkanin e Dortmundit: Ne në mbrojtje? Do të sulmojmë!

“Nuk duhet të gabojmë në këtë ndeshje, – janë fjalët e trajnerit zikaltër, – e dimë sesa e vështirë do të jetë në një stadium të tillë, me gati 80 000 tifozë kundër, por ne jemi Interi dhe duhet të luajmë në çdo ambient. Të tregojmë personalitet. Me Dortmundin luftojmë për vendin e dytë”.

Dortmundi jepet favorit për fitore, nga agjencitë parashikuese. Pavarësisht forcës së italianëve, Borusia po punon e qetë, duke pasur besim tek mbështetja e publikut dh cilësitë e lojtarëve të saj. Dahut dhe Hakimi u lanë pushim në fundjavë, por kapiteni Marko Rojs u dëmtua, dhe trajneri Lysien Favre nuk pritet të rrezikojë shumë, sidomos para sfidës ndaj Bajernit këtë të shtunë.

Mungesë e sigurt është Shmelcer. Favre e sheh të rëndësishme faktin se Dortmundi vjen pas fitoreve në kupë ndaj Gladbahut e në Bundesligë, ku ndodhet në vend të dytë.  “Është shumë e vështirë të luash ndaj këtij Interi, – deklaroi trajneri i gjermanëve, – një kundërshtar tepër i fortë, që di të luajë futboll, dhe që ka ekuilibër. Shpresoj që skuadra të jetë lart moralisht pas dy fitoreve radhazi në kupë e kampionat. Nuk mund të them nëse Rojs do të luajë apo jo”.

Revista gjermane “Kiker” i bën jehonë fjalëve të Julian Brantit, që deklaron se tifozët kërkojnë që ekipi të bindë me lojë dhe me rezultat, pas dështimit në “San Siro”. “Frankfurter Algemajne Cajtung” kërkon prerë: Dortmund, ndaj Interit duhet vetëm fitore! Interi fitoi 2-0 duelin e parë të Championsit në Itali, por prova e sotme do të jetë shumë më e vështirë.

Sfidanti.al