De Laurentis si në kohët e vjetra, ka “turinj të varur” tek Napoli!

Ka qenë një praktikë e kohëve të vjetra në Itali, që presidentët kur zemëroheshin nga rezultatet, i dërgonin skuadrat në grumbullim. Kjo do të thotë nja një javë larg grave, të fejuarave, të dashurave apo fëmijëve, padyshim edhe larg miqve e shokëve. U duk sikur kjo ishte harruar, por ja që e kujtoi presidenti i Napolit, De Laurentis. Pas humbjes në Romë, ai vendosi “me dorë të hekurt”, “në grumbullim deri të dielën, para nisjes për në ekipet kombëtare”.

Trajneri Karlo Ançeloti nuk e fshehu mërzitjen e tij, ku tha se “unë nuk jam dakord, por do ta pranoj vendimin e klubit (të presidentit)”. Po ashtu, ai shtoi se ka mjaft lojtarë që po ashtu nuk janë dakord, dhe janë zemëruar. Pikërisht tek lojtarët e kishte zemërimin De Laurentis. “Ançeloti është trajner i madh dhe zotëri burrë, – tha numri 1 i klubit, – nuk pretendoj nga ai asgjë tjetër nga ajo që ka bërë, por skuadra duhet të jetë e përqëndruar. Nuk mund të luhet mirë vetëm kundër Liverpulit dhe Salcburgut, por edhe ndaj rivalëve më të vegjël në kampionat”.

Sfidanti.al