Poketino i zemëruar me gazetarët: Kjo është broçkull e madhe?!

Trajneri i Totenhemit, Maurisio Poketini, u nxeh keq me gazetarët, ndërkohë që ekipi i tij humbi 1-2 nga Interi në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që udhëhiqte 1-0 deri afro fundit të ndeshjes që u zhvillua në Milano. Kjo është humbja e tretë e këtij ekipi londinez që luajti pa Kieran Tripierin dhe Tobi Aldervajreldin që mbeten në Angli për “arsye teknike”. Gazetarët e pyetën Poketinon mbas ndeshjes, nëse ai ishte bërë pishman që nuk i kishte marrë me vetë në Itali dy lojtarët e mësipërm?

Poketino, i nervozuar nga kjo pyetje, u tha gazetarëve: “Kundër Uatfordit dhe Liverpulit ata ishin në fushë, por, megjithatë, ne u mundëm. Dhe sa vlen pyetja juaj tani? Ju, e keni shumë të lehtë të flisni për lojtarët që mungojnë. Ju, në këtë mënyrë, nuk respektoni futbollistët që luajtën në Milano, madje luajtën më mirë sesa kundërshtarët. Ju mund të më kritikoni mua për humbjen, por nuk keni punë me lojtarët, sepse zgjedhja e tyre është punë e imja. Kieran, Tobi… gjithsej janë 25 lojtarë, kurse, sipas jush, vetëm 11 futbollistë mund të luajnë, kurse 13-14 të tjerët jo? Kjo është një broçkullë e madhe e juaja. Unë jam i zhgënjyër, ndërkohë që unë tregoj respekt ndaj jush”, deklaroi trajneri argjentinas i Totenhemit.
Sfidanti.al