Papa merr bluzën e Juventusit, por në finale do të jetë tifoz me Realin!

Një delegacion i Juventusit, si finalist i Kupës së Italisë, u prit në një ceremoni solemne, nga ana e papës Fransisko, të cilit, si dhuratë, iu bë një bluzë e Juves. Sikurse njoftohet, Papa u vuri në dukje futbollistëve të dy ekipeve finalistë që “të jenë të përgjegjshëm dhe të shërbejnë si një shembull i mirë për të rinjtë e të nxisin midis tyre vlera të tilla si humanizmi, lojaliteti dhe sinqeriteti”. Papa Fransisko konsiderohet si një dashamirës i madh i futbollit dhe, në atdheun e tij, Argjentinë, ai ka qenë tifozë i San Lorencos.

Megjithëse shprehu mirënjohjen e tij që përfaqësia e Juventusit i dhuroi atij një bluzë të këtij klubi, ai nuk e fshehu se klubi i tij më i dashur në Evropë është Reali i Madridit, që nga koha, kur bluzën e këtij ekipi spanjoll e mbante të veshur Di Stefano, idhulli më i madh i Papës. “Papa shpreh mirënjohjen e tij për bluzën e dhuruar të Juventusit, por dihet se për cilin ekip ai do të bëjë tifozllëk në finalen e Ligës së Kampioneve. Sido që të jetë, ai do ta shohë ndeshjen finale, në Kardif, i veshur me të bardha!”, komentojnë me shaka në Vatikan, duke aluduar se me uniforma të bardha luan Reali i Madridit.

Sfidanti.al