Mançester Junajtid duhet të bëjë një shpenzim të madh që të krijojë një skuadër të shkëlqyer për të dominuar Anglinë dhe Europën. Një nga ish-yjet e ekipit, Rio Ferdinand, këshillon Zhoze Murinjon dhe drejtuesit e klubit për të bërë një sforcim financiar dhe për të sjellë dy emra të mëdhenj në “Old Traford”. “Klubi i ka paratë dhe mendoj se duhet t’i marrë të dy, – u shpreh ai në një intervistë, – Bejl dhe Grizman janë lojtarë të mëdhenj, por ata nuk mund të krahasohen me njëri-tjetrin, pasi janë të ndryshëm”.
Mediat kanë raportuar gjerësisht për interesimin e Murinjos për sulmuesin francez, dhe kanë dhënë edhe shifrën, 60 milionë euro për ta marrë nga Atletiko e Madridit, veçse nuk kanë munguar zërat edhe për Bejlin. Sipas gazetave, uellsiani i Realit mund të kushtojë 170 milionë euro. “Bejl mund të luajë në cilindo krah të sulmit, – thotë Ferdinand, – ai mund të jetë i shkëlqyer kudo, majtas, djathtas, në qendër”. Rio shikon vetëm një problem për Grizmanin. “Antuan mund të luajë natyrisht si “numri 9”, por më duket pak herët për ta marrë, pasi Ibrahimoviç po shënon shumë gola, gjithsesi nëse paraqitet mundësia, pse të mos vijë edhe ai”, – përfundoi ish-mbrojtësi i Junajtidit dhe i Anglisë.