I pamëshirshëm shorti gjysmëfinal i Kupës së Mbretit në Spanjë për Atletikon e Madridit. Skuadra e Diego Pablo Simeones do të duhet të përballet me Barcelonën, pasi ishte pikërisht ky emër që doli nga tërheqja e goglave. Nuk qe e thënë që të ndeshej me Seltën apo Alaveshin, që do të kenë shansin e pamenduar për të dalë në finale pa përplasje të forta. Kupa e Mbretit, kështu, do ta luajë përpara kohe finalen e saj. Trajneri i bardhekuqve nuk u trondit shumë nga ky fat, të paktën nuk shfaqi shqetësim.
“Synimi ynë është të fitojmë Kupën, – tha ai, – jo që të dalim në finale. Ndaj, është njëlloj nëse luajmë me Barcelonën në finale apo që tani. Për të fituar trofe në Spanjë duhet të mundësh Barçën ose Madridin (Realin), nuk kemi iluzione për këtë”. Shorti ka përcaktuar edhe kalendarin se kur do të luhen ndeshjet. Atletiko-Barça dhe Selta-Alavesh do të luhen javën që vjen, ndërsa përballjet e kthimit, luhen në 8 e 10 shkurt.