Hera e fundit që ishte në turin e dytë të Ligës së Kampionëve ndodhi në 1999-2000, sezonin e titullit të dytë në Serisë A. Ishte e fortë Lacio e asaj kohe me Stefano Inzagin në fushë si sulmues duke mbërritur deri në çerekfinale, por është e fortë edhe sot që Stefano Inzagi është në stol. Doli tepër e vështirë në “Olimpiko” të Romës ndaj Klub Bryzhit dhe belgët na u shfaqën si dikur, si atëherë kur dilnin në finalen e Kupës së Kampionëve (1978), ndonëse nuk ia dolën.
Pa shqiptarë në fushë (Strakosha në stol, Muriqi jashtë ekipi), por me një shqiptar në drejtim si drejtori sportiv Igli Tare, Lacio arriti barazimin 2-2 që do të thotë vend i dytë dhe kualifikim. “Jemi treguar të jashtëzakonshëm, – thotë Inzagi, – kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, pas 20 vjetësh në të tetat e finaleve. Kualifikim i merituar pa humbur asnjëherë në fushë. Nesër do ta kuptojmë rrugën që kemi bërë. Për mua është sikur kemi fituar një trofe”. Ndërsa Imobile, më i miri në fushë bashkë me Milinkoviç-Saviçin, thotë se “tani duhet të shmangim në short Bajernin e Liverpulin”.
Sfidanti.al